Asgjë nuk është më e rëndësishme se sa shëndeti juaj, jeta juaj dhe aftësia për të jetuar. Sot bota shënon ‘Ditën Botërore të Mbulimit të Shëndetit Universal’, e cila çdo vit shënohet me 12 dhjetor. Në këtë ditë, ndahen histori të miliona njerëzve, që ende presin shërbime të qasshme në lidhje me shëndetin, një ditë që bën thirrje tek udhëheqësit për të bërë investime më të zgjuara në shëndetësi dhe t’i kujtojnë botës, për domosdoshmërinë e mbulimit shëndetësor universal.
Kjo ditë shërben edhe për ndërgjegjësimin e shoqërisë, se të gjithë individët dhe komunitetet duhet të marrin shërbimet shëndetësore që u nevojiten, pa vuajtur nga vështirësitë financiare.
Kjo përfshin spektrin e plotë të shërbimeve shëndetësore thelbësore dhe cilësore, nga promovimi i shëndetit te parandalimi, trajtimi, rehabilitimi dhe kujdesi gjatë gjithë jetës.
‘Dita Botërore e Mbulimit të Shëndetit Universal’ ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e botës ndaj nevojës për të siguruar mbulimin e shëndetit për të gjithë dhe për të theksuar rolin e shëndetit universal, në arritjen e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm.