Sipas raportit të fundit, të vitit 2022 ‘Education Under Attack’, përgjatë viteve 2021 dhe 2022, në mbarë botën janë raportuar 5.000 sulme dhe incidente ndaj institucioneve arsimore. Po ashtu, është raportuar se mbi 9 mijë studentë dhe mësimdhënës, janë lënduar në 85 vende të ndryshme. Siguria në institucione arsimore mbetet ende një sfidë e madhe në shumë vende të botës, prandaj dita e sotme, 9 shtatori, i është kushtuar sigurisë në institucione arsimore, e njohur si ‘Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së Arsimimit nga Sulmet’, që për herë të parë u shënua nga Kombet e Bashkuara, në vitin 2019. Sulme të shumta ende ndodhin në botë, për të penguar mësimin në shumë shkolla dhe duke dëmtuar institucionet arsimore për arsye të ndryshme.
Udhëheqësit botërorë, avokatët, shoqëria civile dhe akterë të tjerë, bashkohen në këtë ditë, për të bërë thirrje për të vepruar të bashkuar kundër sulmeve në arsim. Ngjarjet e këtij viti (2022), do të fokusohen në nevojën për të forcuar mekanizmat e parandalimit, mbrojtjen e nxënësve dhe mësimdhënësve dhe rritjen e mekanizmave të llogaridhënies dhe drejtësisë, në një ngjarje të madhe që organizohet nga UNESCO, në Paris.
Arsimimi është e drejtë bazike për të gjithë njerëzit në botë dhe siguria në institucione arsimore duhet të jetë prioritet për të gjitha shoqëritë.