“Mendoj… nëse është e vërtetë që ka aq mendje aq sa ka koka, atëherë ka po aq lloje të dashurive sa ka zemra”, kështu ka thënë shkrimtari botëror, Leo Tolstoy, ndërsa aktorja e famshme, Halle Berry, thotë se “Kur rritesh në një ambient multietnik e sheh botën ndryshe”. Këto janë vetëm dy nga mijëra përkufizimet që në thelb kanë të shprehin në një mënyrë më të bukur e më të kapshme për secilin, rëndësinë që ka bashkëjetesa, rritja dhe bashkëpunimi ndëretnik në një ambient shumetnik. Sot shumë studime sociale që thelb kanë rëndësinë e bashkëpunimit në mes të etnive të ndryshme e në veçanti mbjelljen e kësaj kulture qysh në studimet e hershme. Nëse arsimi i lartë i shekullit 21 ka një togfjalësh, atëherë është diversiteti. Pikërisht diversiteti është një nga çështjet më të rëndësishme të kohërave moderne, ndërsa kërkojmë të krijojmë shoqëri gjithnjë e më gjithëpërfshirëse në një botë gjithnjë e më të lidhur. Një nga vendet që në mënyrë krejtësisht të natyrshme e ka ambientin shumetnik, janë hapësirat e Radio KFOR-it. Aty, ku ne çdo ditë mësojmë fjalë të reja të gjuhëve të ndryshme, ku çdo ditë mësojmë kultura të reja, ku çdo ditë bashkëpunojmë e shkëmbejmë njohuri fillimisht mes stafit të dy kombësive: serb e shqiptar e pastaj edhe me shumë kombësi të tjera.
Duke qenë pjesë e ekipit shumetnik të Radio KFOR-it, tash e 20 vite, redaktorja e këtij radio stacioni, Mirditë Meha-Bajrami, thotë se çelësi i suksesit dhe kreativiteti, janë në shumë mendje nga përkatësi të ndryshme: “Radio KFOR-i këtë vit po shënon 21 vjetorin e themelimit që është i përbërë nga një ekip i mrekullueshëm shumetnik, të frytshëm dhe me performancë të shkëlqyeshme dhe përveç punëtorëve shqiptarë dhe serbë, aty kemi edhe kolegë me prejardhje të ndryshme dhe kultura të ndryshme nga pothuaj se secili cep i botës. Kjo përzierje e ekipit sigurisht që na ndihmon të punojmë në mënyrë më kreative, duke zgjidhur problemet në mënyrë më efikase. Puna me individë nga kultura dhe prejardhje të ndryshme është shpesh një burim frymëzimi dhe kur njerëzit frymëzohen, ndodhin gjëra të mëdha. Duke punuar me njerëz që kanë ecur në shtigje të ndryshme dhe kanë këndvështrime të ndryshme, sigurisht që edhe përfitimet nga një nivel më i gjerë i të menduarit, na i bënë projektet më të suksesshme. Frekuencat e Radio KFOR-it kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë një reflektim i paqes dhe tolerancës, që është si rrjedhojë e mësimit dhe reflektimit të kulturave të ndryshme nga të gjithë paqeruajtësit, nga të gjitha kombet që veprojnë brenda NATO-s.
Znj. Meha-Bajrami, gjithashtu thekson se shumë etnia në ambientin e punës, në fakt është shtyllë e suksesit: “Në gjithë këto 20 vite që kanë kaluar, besimi ynë tek njëri-tjetri pa dallim etnie apo religjioni dhe angazhimi ynë ndaj punës në radio, janë faktorët që na kanë sjellë këtu ku jemi sot. Të gjithë kolegët e mi, e përsëris, pa dallim, kanë qenë gjithmonë forca dhe shtylla kurrizore e Radio KFOR-it që me pozitivitet dhe intelektin e tyre, çdo ditë mundohen që t’ua zbukurojnë ditën edhe dëgjuesve tanë. Për fund do të shtoja se kur ke një ekip me prejardhje të ndryshme kulturore, sikurse ne në Radio KFOR, atëherë të gjithë shikojnë situatat përmes një lente pak më ndryshe, pra nga një perspektivë më unike dhe kështu kjo pasuri e këndvështrimeve na sjell në një zinxhir të gjerë idesh që në fund përfitojmë ne si ekip si dhe është e qartë se multikulturalizmi është rruga përpara për bizneset në të gjithë globin, kështu duke përqafuar një mjedis të tillë, vetëm atëherë ne si shoqëri mund të ecim përpara.”
Puna në një mjedis multi-etnik sjell shumë përparësi, thotë edhe redaktori i Radio KFOR-it në gjuhën serbe, Zoran Popoviç:“Një mjedis pune multi-etnik është shumë i dobishëm për punonjësit. Avantazhi kryesor është se ju jeni në gjendje të shihni se çfarë qasje kanë të tjerët ndaj zgjidhjes në një situatë të veçantë, pra njerëz nga pjesë të ndryshme të botës dhe çfarë metodash përdorin ata. Ky diversitet, duke ndërthurur mendime dhe zgjidhje, përveç përvojës, çon në një punë të madhe dhe shumë më të lehtë. Nga ana tjetër, ju keni mundësinë të mësoni gjithçka që ju intereson për kombe dhe kultura të ndryshme, kështu që shpesh mund të jetë shumë interesante.”
Ashtu sikurse lulet që nuk do të ishin të bukura nëse do ishte vetëm një lloj i tyre, ashtu edhe bota do të dukej pa ngjyra, nëse do ishte vetëm një racë njerëzorë, një kulturë e një besim apo një gjuhë. Prandaj, duke shkrirë njohuritë tona me njëri-tjetrin, duke njohur kulturën e njëri –tjetrit , duke folur gjuhën e njëri-tjetrit dhe duke bashkëpunuar çdo ditë, ne jemi bota e sotmes dhe e së ardhmes.