Çdo vit me datën 21 shtator, shënohet ‘Dita Botërore e Alzheimerit’, në të cilën bëhen përpjekje globale për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të sfiduar stigmën rreth sëmundjes së Alzheimerit dhe demencave të tjera. Alzheimer është një sëmundje progresive që dëmton kujtesën dhe funksionet e tjera mendore. Është forma më e zakonshme e demencës, që shkakton humbjen e kujtesës dhe humbjen e aftësive të tjera thelbësore njohëse, që janë mjaft serioze dhe vështirësojnë jetën e përditshme të një individi.
Tema e cila sivjet shënon ‘Ditën Botërore të Alzheimerit’, thotë “Asnjëherë nuk është shumë herët dhe kurrë nuk është shumë vonë”. Fushata në fjalë, synon të nënvizojë rolin kryesor të identifikimit të faktorëve të rrezikut dhe miratimit të masave proaktive, për reduktimin e rrezikut për të parandaluar shfaqjen e demencës.
Në mbarë botën rreth 46.6 milionë njerëz, vuajnë nga demenca, ndërsa popullsia globale plaket, vlerësohet se numri i njerëzve me demencë, do të dyfishohet në 15 vitet e ardhshme. Reduktimi i rrezikut nga kjo sëmundje, është njëra nga prioritetet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.