“Paqja fillon me një buzëqeshje”, kështu ka thënë Nënë Tereza dhe duke iu përmbajtur kësaj thënieje, secili prej nesh mund të bëhet misionar i paqes në botë. Për të kremtuar dhe promovuar paqen në botë, Kombet e Bashkuara janë rënë dakord që 21 shtatori, të kremtohet si “Ditë Ndërkombëtare e Paqes”, ditë në të cilën komuniteti botërorë reflekton mbi forcimin e idealeve të paqes në mes të të gjitha kombeve dhe popujve në botë.
Për të shënuar këtë datë të rëndësishme, Radio KFOR-i mori disa mendime për rëndësinë e paqes, nga disa të rinj që jetojnë në Kosovë, të cilët na treguan se çfarë do të thotë paqja për ta: “Unë jam Elena Gjevukaj. Paqja për mua përfaqëson të bukurën dhe themelin, se si ne ndërtojmë marrëdhëniet me të gjithë njerëzit. Paqja është çelës i një botë paqësore, çelës i lumturisë së secilit prej nesh, gëzimi i secilës të drejtë njerëzore dhe misioni ynë që duhet të burojë nga bashkëpunimi i mirëfilltë ndërmjet të gjithë njerëzve, pa dallime gjinie, race, kombi apo feje.”
“Jeta në paqe nuk ka çmim. Kjo është pikërisht arsyeja pse është kaq rëndësishme që sot, në ’Ditën Ndërkombëtare të Paqes’, të flasim më shumë se zakonisht se sa e nevojshme është paqja për të gjithë njerëzit që jetojnë në këtë planet”, tha kështu për Radio KFOR-in Ivana Janiçijeviq.
“Unë jam Enes Keriq. Kur e mendojmë lumturinë, mendojmë në gjëra të bukura, si natyra, familja, shoqëria, momentet e bukura që krijojnë kujtime, e shumëçka tjetër. E baza për të gjitha ato gjëra që na sjellin lumturi, padyshim që është paqja e cila duhet të fillojë nga brendia e secilit prej nesh, për të reflektuar më pas në paqe, që të zë vend gjithandej botës. Prandaj, për një botë paqësore duhet angazhim i secilit prej nesh, në shtrirjen e paqes.”
“Çdo ditë duhet të flitet për rëndësinë e paqes, në mbarë botën. Jeta në paqe ka një rëndësi kyçe për zhvillimin e çdo individi, për edukimin, arsimimin dhe ngritjen e tij. Mendoj se çdo individ, duke përhapur mesazhin e paqes, mund të japë një kontribut modest për arritjen e qëllimit, që është të jetojmë në një mjedis paqësor”, tha Teodora Petroviq.
Paqja përfshin të drejtat themelore të njeriut, faljen, tolerancën dhe pajtimin në mes të njerëzve dhe komuniteteve botërore.