Qasja e lehtë dhe e shpejtë në informacione, kërkimi për një vend pune, kërimi për receta të ndryshme ushqimore, hulumtimi mbi diçka që zgjonë interes për ne, mësimi online, e shumëçka tjetër, kanë një emërues të përbashkët, e ky emër është ‘Rrjetet sociale’. Me të gjitha këto që i përmendëm më lartë, mediat online na e kanë lehtësuar jetën në shumë mënyra.
Dëgjuesja e Radio KFOR-it Kujtesa, ka një sërë arsyesh për të numëruar, se si rrjetet sociale na e kanë lehtësuar jetën: “Sot, ne mund të lidhemi menjëherë me një bollëk informacioni dhe kjo, mund ta bëjë jetën tonë shumë, shumë më të lehtë! Rrjetet sociale e bëjnë më të lehtë komunikimin me të tjerët, për të ndarë momente të jetës dhe për të parë idetë, postimet nga shokët dhe familjarët tanë.”
Për dëgjuesin tjetër të Radio KFOR-it, Agonin, rrjetet sociale janë themel edhe për krijimin e bizneseve të ndryshme: “Rrjetet sociale mund ta bëjnë jetën më të lehtë të një individi në mënyra të ndryshme… Për më tepër, shumë biznese janë përmirësuar përmes përdorimit të platformave online. Kjo i ndihmon ata shumë duke promovuar produktet dhe shërbimet e tyre, mbi të cilat shumë përdorues të tyre po ndërgjegjësohen për bizneset e tyre.”
Rrjetet sociale sot, janë pothuajse burim i gjithçkaje e mbi të gjitha është mënyra e komunikimit që lidhë botën në sekondë. Facebook, Instagram, Twitter e shumë rrjete të tjera sociale, sot kanë shkurtuar koston dhe kohën. Në vend se të udhëtoni nga shteti në shtet për punë të ndryshme biznesore, ato punë mund t’i përfundoni nga rahatia e shtëpisë tuaj vetëm duke pasur një pajisje të mençur, e mos të flasim edhe për qindra mundësi të tjera që sot na i ofrojnë platformat online.