Qytetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kamenicë janë bërë bashkë, për t’iu dalë në ndihmë personave në nevojë në këtë komunë, në luftën kundër pandemisë ‘Covid 19’.
Një gjë të tillë e dëshmon edhe donacioni prej 300 sapunësh antibakterial, që nxënësit e Komunitetit Serb të Shkollës Fillore “Desanka Maksimovic”, në Kamenicë, i kanë përgatitur me duart e tyre dhe më pas këta sapunë i kanë dhuruar në Komunën në të cilën jetojnë: “Ne erdhëm me idenë e përgatitjes së sapunit në shtëpitë tona, së bashku me nxënësit. Fëmijët ishin të përfshirë në paketimin e sapunit dhe në ngjitjen e etiketave. Ne synuam: humanizmin, përfshirjen e fëmijëve në një aktivitet që do t’i bëjë ata të ndjehen të veçantë, pas kufizimeve të lëvizjes. Ata me kënaqësi e pranuan ftesën dhe së bashku erdhëm me idenë për emrin e porosisë që gjendet në çdo sapun ‘Le të mundim së bashku Koronavirusin’,” tha kështu drejtoresha e shkollës fillore, Jadranka Vasic.
Ajo shtoi gjithashtu se nxënësit e kuptuan se sa e rëndësishme është disiplina dhe ata donin të përhapnin këtë mesazh te të gjithë, se sa e rëndësishme është të zbatojnë rregullat dhe të jenë të disiplinuar. Znj. Vasic tha se gjithçka filloi me 300 sapunë dhe ata arrtën shifrën në përgatitjen e 1.300 sapunëve.
Radio KFOR-i ka kontaktuar edhe kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili në lidhje me këtë donacion nga nxënësit, tha: “Nxënësit së bashku me stafin mësimor aty kanë përgatitur sapunë antibakterial që ia kanë dhënë Komunë,s për t’iu shpërndarë personave në nevojë dhe ishte emocionuese. Kjo tregon se në momente të tilla duhet t’ia kujtojmë vetës se nuk ka rëndësi kombësia, as religjioni, as gjinia, por të gjithë ballafaqohemi me sfida dhe probleme të njëjta. Kjo ke një vepër që ne e kemi mirëpritur jashtëzakonisht mirë dhe do t’ua përcjellim rasteve në nevojë pavarësisht kombësisë.”
Tutje Z. Kastrati, bëri të ditur se pas këtij donacioni, tani edhe nxënësit e Gjimnazit dhe Shkollës Profesionale në Kameniëa, po përgatisin gjithashtu disa maska dhe dezinfektues për t’i dhuruar atyre në nevojë: “Po besoj që në këtë fatkeqësi këto veprime duhet të na kujtojnë edhe të mendojmë për një të ardhme të përbashkët”.