Shfaqja e pandemisë vështirësoi punën në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe vozitësit e taksive. Këtu rreziku shtohet edhe më shumë, kur mendohet se duhet të vozisin persona të ndryshëm, duke përfshirë edhe ata që janë të infektuar me ‘COVID-19’.
“Kjo periudhe pandemie nuk është e lehtë për ne, sepse përveç kujdesit për shëndetin tonë, ne mendojmë edhe për shëndetin e pasagjerëve”, kështu tha për Radio KFOR-in, taksist Nevzat Jerliu, i cili këtë profesion e ushtron për 22 vite me radhë. Më tutje, zotëri Jerliu, na tregoi se si kujdeset për vetën dhe pasagjerët: “Këtu në veturën time kam dhjetëra maska dhe dezinfektues. Në rast se pasagjeri nuk ka maskë apo dezinfektues, unë ia ofroj këto të dyja, para se ai ose ajo të futet në veturë. Në momentin që zbret pasagjeri, komplet veturën e dezinfektoj dhe e lë të gatshme për pasagjerin e radhës. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse ne nuk mund të dimë se a është pasagjeri i infektuar apo jo. Megjithatë, me kujdes të madh dhe me respektim të masave do e kalojmë edhe këtë periudhë të vështirë për të gjithë.”
Nëse vërtet dëshironi të shmangni virusin COVID-19, pastroni duart, mbani distancë dhe respektoni rregullat e vëna nga institucionet gjegjëse. Nëse secili bëjmë pjesën tonë, ne do të ndihmojmë në zvogëlimin e numrit të rasteve me COVID-19!