Pas premierës së suksesshme të komedisë “Koprraci”, e cila u dha në Teatrin Adriana , në Ferizaj, më 24 prill, kjo shfaqje do të përsëritet edhe sonte (26.04.19) në po të njëjtin vend, duke filluar nga ora 20:00.
Tekstin e kësaj shfaqjeje e ka realizuar komediografi francez Molier, me regji nga Elmaze Nura, ku interpretojnë aktorët e njohur, Vjosa Abazi, Mevlan Saraçi, Jajush Ramadani, Blin Sylejmani, Ali Krasniqi, Milot Salihu, Uratë Shabani, Sherif Bega dhe Doruntinë Xhemajli. Se si është pritur kjo komedi nga publiku i pranishëm në premierë, për Radio KFOR-in foli vet aktorja dhe njëherit protagonistja e kësaj shfaqjeje, Vjosa Abazi:
“Komedia u prit jashtëzakonisht mirë nga dashamirët e teatrit, salla ishte e stërmbushur me të qeshura pa fund dhe padyshim unë jam ndjerë shumë mirë në mesin e një kaste të mrekullueshme aktorësh profesionistë, disa prej të cilëve i përkasin një gjenerate më të re, por që premtojnë shumë”, nënvizoi mes tjerash për Radio KFOR-in, aktorja Vjosa Abazi.