Në të kaluarën, letra ishte ndër mediumet e vetme përmes të cilës përçohej mesazhi. Ndërsa sot kjo mënyrë e komunikimit përmendet rrallë dhe ka mbetur nën hijen e zhvillimeve të vazhdueshme teknologjike. Në mënyrë simbolike, miliona njerëz në botë shkruajnë nga një letër pikërisht sot, kjo pasi 1 Shtatori shënon ‘Ditën Botërore e të Shkruarit Një Letër’.
Në këtë ditë, Radio KFOR-i ka kontaktuar Profesorin e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës, Bardh Rugova, njëherësh doktor i Shkencave të Filologjisë, i cili e përshkruan evoluimin e komunikimit nga e kaluara në të tashmen: “Në të tashmen, komunikimi më pak bëhet përmes letrës, e më shumë përmes mjeteve tjera të komunikimit. Nëse i shohim filmat e viteve të 50-ta, do ta shohim se si njerëzit në atë kohë e kanë imagjinuar zhvillimin teknologjik, i cili ka qenë i orientuar nga makinat fluturuese, por në të vërtetë zhvillimi më i madh u bë në komunikim, ku tanimë kemi mjete më të lehta komunikimi se letra, libri apo telefoni me tel. Kjo bëri që të ndryshojë shumëçka, përfshirë edhe pjesën e formalitetit të cilën e kishte një letër.”
Këtë vit, mesazhi që përçohet në këtë ditë, thotë: “Të shkruarit me dorë është ADN-ja juaj. Janë gjurmët e gishtërinjve që vetëm ju mund t’i ndani me të tjerët. Merrni një laps dhe shkruani një letër sot”.