Kur jeton në një vend multietnik, mësohesh ta respektosh dhe ta pranosh tjetrin ashtu siç është, po ashtu mëson gjëra të reja, njeh kultura të ndryshme si dhe argëtohesh më shumë përgjatë festave të ndryshme. Në fakt Kosova është një vend i tillë dhe janë të moshuarit ata që na tregojnë shembuj të mirë të bashkëjetesës, që duhet të jenë edhe një mësim dhe shembull i mirë për gjeneratat e reja.
Radio KFOR-i kontaktoi disa qytetarë, të cilët në lidhje me bashkëjetesën, theksuan:
– “Quhem Skender Hajrizi. Kemi biseduar e jemi shoqëruar, pas orarit të punës ne kemi dalë edhe për kafe, kemi pasur serbë, shqiptarë, rom, ka pasur edhe besime të ndryshme, por s’ka pyetur askush se çka je. Ka qenë respekti i madh. Respektoni njëri-tjetrin, pa marrë parasysh kombësinë, sepse të gjithë jemi njerëz.”
– “Jam Radoljub Popovic. I porosis të rinjtë që të harrojnë të keqen dhe të jetojnë së bashku, sepse jeta është më e mirë përmes paqes dhe harmonisë.”
Duke jetuar së bashku dhe duke mos paragjykuar prejardhjen apo besimin e tjetrit, ne ndërtojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë!