Që kur filloi testimi i armëve bërthamore, më 16 korrik 1945, në gjithë botën, janë kryer mbi 2,000 testime. Duke ditur efektet e tyre anësore për jetën e njerëzve, veçanërisht kur kushtet e kontrolluara gjatë testimit shkojnë keq, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi të veprojë për këtë çështje.
Duke e ditur këtë problem madhor për gjithë botën, më 2 dhjetor të vitit 2009, sesioni i 64 -të i Asamblesë, shpalli 29 gushtin si “Ditën Ndërkombëtare kundër Testeve Bërthamore”, e cila bën thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit në lidhje me efektet e shpërthimeve të provave të armëve bërthamore ose ndonjë shpërthim tjetër bërthamor, si dhe nevojën për ndërprerjen e tyre si një nga mjetet për të arritur qëllimin e një bote pa armë bërthamore.