Inovacione, dështim në sigurinë e fëmijëve, mënyra të reja të fitimeve online e sponsorë përmes kriptovalutave, ishin lajmet kyçe të teknologjisë, përgjatë javës që po e lëmë pas.
Fillojmë me rrjetin social Instagram, i cili në mbarë botën, lansoi reklamat për Instagram Shop, ku përdoruesit mund të kërkojnë gjëra të ndryshme, si: veshje, produkte kozmetike e në disa raste të blejnë drejtpërdrejt nga aplikacioni Instagram.
Elon Musk na befasoi edhe njëherë, duke prezantuar projektin për zhvillimin e një roboti humanoid, i cili vitin e ardhëm, do të debutojë në formë prototipi. Kompania ‘Tesla’ është duke ndërtuar robotin në fjalë, të quajtur Tesla Bot. inteligjenca artificiale (IA) e robotit do të jetë e njëjtë sikurse e automjeteve të kompanisë, me bateri.
Vazhdojmë tutje, “Apple në mënyrë krejtësisht të vetëdijshme është duke lejuar përdoruesit, në moshë të re, që të kenë qasje në aplikacionet e kërkuara nga të rriturit”, kështu thotë një hulumtim i kryer nga Tech Transparency Project (TTP). Sipas këtij hulumtimi, kjo po ndodh pavarësisht pyetjeve për moshën e përdoruesve dhe regjistrimin e datave të lindjes.
Gjatë kësaj jave u veçua edhe kjo risi, ku bota e futbollit, çdo ditë e më shumë, po përfshihet në industrinë e kriptomonedhave. Një prej ekipeve Holandeze më në zë ‘PSV Eindhoven’ ka vendosur të bashkëpunojë me një platformë lokale të tregtimit të kriptomonedhave, e quajtur ‘Anycoin Direct’, duke u bërë klubi i parë i futbollit në Evropë që paguhet me kriptomonedha.