“Të moshuarit duhet të dëgjohen për fjalët e tyre e jo të shihen për pamjen e tyre, ndërsa të rinjtë duhet të shihen, por jo të dëgjohen”, kështu thotë Grace Slick dhe kjo është vetëm njëra ndër qindra thënie që iu janë kushtuar atyre që ne sot u kemi shumë borxh.
Data 1 tetor, që nga viti 1990, në kalendarin e Kombeve të Bashkuara shënohet si “Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve” .
Të moshuarit ashtu siç janë të dashur për ne, kërkojnë vëmendjen dhe kohën për t’u përkujdesur për ta. Por, sa po arrijmë që ta përmbushim këtë, Genti dëgjues i Radio KFOR-it thotë:
“Mendoj që si shoqëri kujdesemi mjaftueshëm për më të moshuarit. Më ka rastisur të shoh në autobus, kur shumica e të rinjve ua lirojnë vendin më të moshuarve. Edhe në fëmijë kanë përkujdesje, ata jetojnë me familje, e në shumicën e rasteve ata e kanë rolin e kujdestarit për nipërit dhe mbesat, pasiqë prindërit e tyre punojnë”.
Ndërsa, dëgjuesja tjetër, Vlera thotë se tek ne duhet të kemi më shumë qendra, ku të moshuarit zhvillojnë aktivitete të ndryshme:
“Mendoj që të moshuarit kanë nevojë më shumë për përkujdesje. Mendoj që duhet të kemi më shumë qendra për aktivitete edhe argëtim për më të vjetrit”.
Njerëzit e moshuar gjithmonë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në shoqëri, si udhëheqës dhe kujdestar të familjes. Prandaj, “Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve” është një mundësi për të nxjerrë në pah kontributet e rëndësishme që njerëzit e moshuar i japin shoqërisë dhe siç thotë edhe Tom Wyatt “Të vjetrit kanë qenë të rinj përpara se të rinjtë të ishin njerëz”.