Nuk thuhet kot që rinia është e ardhmja e një vendi dhe karakteristikë e Kosovës, në rastin tonë, është përqindja e madhe e të rinjve, të cilët përbëjnë mbi 35 % të moshave nga 15 deri në 24 vjeç dhe mbi 65 % nën moshën 30 vjeç dhe jo rastësisht kjo grup moshë konsiderohet si një prej pasurive më të mëdha që ka vendi ynë.
E pikërisht sot (12 gusht), rinia shënon ditën ndërkombëtare të saj, në kuadër të së cilës organizohen aktivitete të ndryshme, koncerte, seminare e ngjarje të ndryshme kulturore. Në përputhje me këtë ditë të shënuar, Qeveria e Kosovës , për herë të parë ka themeluar Komisionin për Rini, si mekanizëm kyç i Qeverisë për bashkëpunim, mbështetje dhe vendimmarrje karshi rinisë sonë.
Ky komision do të bëjë harmonizimin e dokumenteve strategjike si programi i Qeverisë së Kosovës, planet e punës së ministrive dhe strategjitë nacionale që ndërlidhen me rininë. Komisioni gjithashtu do të jetë pjesë e procesit të hartimit të Strategjisë Kombëtare për Rininë, duke përfshirë masa dhe aktivitete që merren përsipër nga ministritë sektoriale dhe më pas bënë monitorimin dhe vlerësimin periodik të zbatimit të Strategjisë.
Çdo vit, Kombet e Bashkuara vendosin nga një temë për të shënuar këtë ditë botërore, që është e rëndësishme për të gjitha komunitetet globale dhe qytetarët dhe tema e sivjetme është “Transformimi i Sistemeve të Ushqimit: Inovacioni i të Rinjve për Shëndetin Njerëzor dhe Planetar”, me qëllim të theksimit se suksesi i një përpjekjeje të tillë globale, nuk do të arrihet pa pjesëmarrjen kuptimplotë të të rinjve.