Organizata jo-qeveritare ‘Shtatëmbëdhjetë’ në Prishtinë, që ndër vite ka organizuar aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike, duke ri funksionalizuar hapësirat publike të pa shfrytëzuara në hapësira për të rinjtë dhe për aktivitete interesante, së fundmi po planifikon të hapë një galeri, që do të jetë hapësirë e artistëve, për të paraqitur botëkuptimet e tyre nëpërmes artit dhe aktiviteteve të tjera kulturore.
Rreth kësaj galerie dhe misionit që do të bartë, Radio KFOR-i kontaktoi me menaxheren për komunikim në organizatën ‘Shtatëmbëdhjetë‘, Sihana Klisurica: “Para disa javësh kemi filluar një kampanjë përmes platformës ‘Kosovo Ideas’, për mbledhjen e fondeve për funksionalizimin e hapësirës, ku do të hapet ‘Galeria 17’, duke pritur përkrahjen e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe artistëve, për të kontribuuar në këtë nismë. Misioni i ‘Galerisë 17”, është që të nxisë respektimin kritik përmes identifikimit dhe përkrahjes së zërave të guximshëm që sjellin këndvështrime të reja, përmes praktikave bashkëkohore të artit dhe fokusi do të jetë tek temat dhe çështjet sociale, ku do të ketë vepra të artit dhe ekspozita.”
Kjo organizatë ka ftuar të gjithë personat dhe organizatat që t’i bashkohen, për t’ju ndihmuar financiarisht dhe për të hapur këtë hapësirë të përbashkët arti, që do të pasurojë dhe do të ndihmojë në promovimin e artit dhe kulturës.
Për të kontribuuar në funksionalizimin e kësaj galerie, të interesuarit mund të klikojnë në vegëzën e më poshtme: https://kosovaideas.com/campaign/detail/654?fbclid=IwAR0PnGSc_RiuXOgqUM9pQNY04J76iQw2Zn1T4F5KFJbdupd13U7YjpF2Pwg