“Dita Ndërkombëtare e Edukimit’, është një ditë vjetore e cila i kushtohet arsimit. Duhet përmendim se me 3 dhjetor 2018, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, miratoi një rezolutë që shpalli 24 janarin, si “Ditën Ndërkombëtare të Edukimit”, në festimin e rolit të arsimimit për sjelljen e paqes globale dhe zhvillimit të qëndrueshëm si dhe mundësinë për të rritur vetëdijësimin e rëndësisë për arsimim dhe uljen e analfabetizmit në botë.
Pikërisht për këtë ditë, Radio KFOR-i kontaktoi profesoreshën e psikologjisë, në Gjimnazin “Sami Frashëri”, në Prishtinë, Mimoza Gjaka Bllacaku e cila theksoi se edukimi në përgjithësi është baza e njeriut: “Edukimi fillon sapo lind njeriu me anë të familjes, kopshtit, shkollës dhe në vazhdim. Edukimi është investimi i gjeneratës së tashme për të ardhmen. Edukimi formon dhe ndërton personalitetin tonë. Edukimi është shumë i rëndësishëm dhe na ndihmon që ne të krijojmë marrëdhënie të mira me të tjerët”, tha profesoreshë, Mimoza.
Përhapja e edukimit ndihmon në uljen e analfabetizmit në gjithë botën, por në fakt analfabetizmi është i lidhur me çështje socio-ekonomike, si varfëria dhe faktorët demografikë.
Sipas të dhënave zyrtare të ‘Agjencisë së Statistikave të Kosovës’, në bazë të regjistrimit të popullsisë, rreth 82 mijë persona në Kosovë nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë, ndërsa 55 mijë qytetarë janë analfabetë të plotë, që nuk dinë të lexojnë dhe të shkruajnë. Edukimi është një e drejtë të cilën e kanë të garantuar me ligj të gjithë njerëzit dhe se e drejta për arsim, është e parashikuar në nenin 26 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.