Me datat 28 dhe 29 Janar 2020, në Kino “ARMATA”, do të shfaqen filmat e shkurtër të drejtorit të fotografisë dhe regjisorit nga Berlini, Alex Brack. Të gjithë adhuruesit e kinematografisë, përgjatë këtyre dy ditëve, do të kenë mundësi që të mbajnë edhe një masterklasë me Brack, i cili do të vijë në Kosovë gjatë kësaj jave.
Radio KFOR-i ka kontaktuar drejtorin e Kino “ARMATA”, Alush Gashin, i cili ka treguar për filmat që do të shfaqen përgjatë këtyre dy ditëve të regjisorit, Alex Brack, i cili një kohë të gjatë punon në Athinë. “Filmat e shkurtër që do të shfaqen më 29 janar, ditë e mërkurë janë: “Moonjump”, “Rituals”, “The Magician”, ku Brack po ashtu do të mbajë një mastërklasë për rëndësinë e kinematografisë në prodhimin e filmit, derisa nesër, ditë e martë, 28 janar do ta shfaq një dokumentar të titulluar “Levos”, i cili flet për një grup refugjatësh të Afrikës, që kanë ardhur në Greqi si dhe një video muzikë të Bendit “Chicken”, bend i njohur që ka mbajtur dy herë koncerte në Kosovë. Videoja muzikore e këtij Bendi quhet “She’ll be Apples”. Rëndësia e prezencës së Brack është sepse Kino “ARMATA” mundohet të tregojë sa më shumë artistë që e sfidojnë vetën në teknika alternative të filmbërjes. Alex Brack është një nga ta. Është regjisor dhe kinematografik që ka pasur ko-produksione të ndryshme me Arte, SWR dhe Universal. Ka prodhuar filma të shkurtër, video muzikore kinematike dhe dokumentarë. Filmat e tij janë shfaqur në festivale të ndryshme si “Filmfest Dresden”, “Clermont – Ferrand”, “Regard International Shortfilm Festival” si dhe në Festivalin ‘Next Generation Short Tiger’.”
Gashi tutje ka bërë të ditur për Radio KFOR-in se dyert e Kino “ARMATA’ janë të hapur për të gjithë ata që duan të shohin filmat dhe të mbajnë masterklasë me Brack. Pjesëmarrësit e interesuar duhet të plotësojnë një formë të aplikacionit, e cila është e qasshme online, përmes vegzës: https://forms.gle/6g5WZKXrHpWxP7EC9