Data 9 maj shënon ‘Ditën e Evropës’, një mundësi për të festuar për paqen dhe unitetin në Evropë. Kjo datë, shënon edhe përvjetorin e ‘Deklaratës së Schuman’-it që parashtroi idenë e tij për një formë të re të bashkëpunimi politik në Evropë, e cila do ta bënte të pa mendueshme luftën midis kombeve të Evropës.
Në këtë ditë, në gjithë kontinentin, organizohen aktivitete të ndryshme. Edhe në Kosovë do të ketë gjithashtu aktivitete të tilla. Sot, ‘Shtëpia e Evropës‘ dhe ‚BONEVET‘, mirëpresin fëmijët e pasionuar pas teknologjisë, për një ditë super-argëtuese, në punëtorinë për Shkencë, Teknologji dhe Art (STEAM).
Gjithashtu, sot do të hapet edhe edicioni i 12-të i ‚Chopin Piano Fest Prishtina‘ me koncertin e pianistit të famshëm spanjoll Martin Garcia Garcia, një festival që do të mbyllet më 8 qershor, me koncerte dhe aktivitete të shumta kulturore.