Një nga praktikat që duhet të kultivohet qysh në fëmijëri, është edukimi mbi mbrojtjen e ambientit nga fëmijët. Organizata jo-qeveritare ‘Let’s Do it- ta pastrojmë Kosovën’, vazhdimisht nëpërmes aktiviteteve dhe fushatave vetëdijesuese, ka bërë thirrje që të kujdesemi dhe ta mbajmë të pastër Kosovën.
Radio KFOR-i ka kontaktuar me drejtorin ekzekutiv të organizatës ‘Let’s Do it’, z. Luan Hasanaj, i cili tregoi më shumë rreth aktiviteteve të tyre që përfshijnë edhe fëmijët: “Fëmijët çdo herë zënë vend shumë të rëndësishëm në aktivitetet tona. Rregullisht organizojmë aktivitete në të cilat fëmijët marrin pjesë si; aksione pastrimi, mbjellje fidanësh dhe trajnime në shkolla. Vlen të përmendët projekti ‘Arti i Riciklimit’, i realizuar vitin e kaluar në të gjitha shkollat e Prishtinës, projekt ky përmes të cilit nxënësit kanë garuar mes vete, me kreacione me materiale të ricikluara.”
‘Let’s Do it’, është një nga organizatat më aktive në Kosovë që kontribuon në pastrimin e hapësirave nga mbeturinat dhe të vetëdijesoj qytetarëve për tu kujdesur për ambientin.
Toka është shtëpia jonë e përbashkët, ta ruajmë dhe ta mbrojmë atë!