Çdo vit Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në bashkëpunim me Federatën Botërore të Zemrës, organizojnë ‘Ditën Botërore të Zemrës’, e cila mbahet në nivel global, më 29 shtator, me qëllimin të ndërgjegjësimit, informimit dhe edukimit të njerëzve lidhur me sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë shkaku kryesor i vdekjeve në të gjithë botën. ‘Dita Botërore e Zemrës’, gjithashtu synon të promovojë masa parandaluese që zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.
‘Sëmundje kardiovaskulare’, është një term i gjerë dhe përfshinë një sërë sëmundjesh që ndikojnë në zemër dhe në enët e gjakut. Një atak në zemër ose goditje në tru, mund të jetë paralajmërimi i parë i një sëmundjeje.
Ka shumë lloje sëmundjesh që mund të japin goditje në zemër ose goditje në tru, prandaj, këto sëmundje i ndajmë në tre grupe të mëdha: në sëmundje që ndikojnë drejtpërdrejt në zemër, në tru dhe në sistemin periferik të qarkullimit të gjakut. Sëmundjet kardiovaskulare (SKV), janë shkaktari kryesor i vdekshmërisë në botë dhe siç bëhet e ditur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), çdo vit vdesin më shumë njerëz nga SKV-ë, sesa nga çdo sëmundje tjetër.