Falë mbështetjes financiare të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Forumi për Lidership dhe Diplomaci (FLD), javën që e lamë pas, lansoi projektin “Promovimi i Zhvillimit Ekonomik Rajonal përmes Akademisë së Ndërmarrësisë”, i cili u dedikohet kryesisht vajzave dhe grave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian (RAE), për t’i fuqizuar me njohuri dhe përgatitur për sektorin zhvillimor në Kosovë.
Me këtë rast, drejtoresha ekzekutive e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, znj. Njomza Emini, në prezencë të shefit të Misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark dhe Zv. Ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji, deklaroi: “Puna pa dallim me të gjitha komunitetet është mundësi e mirë për të gjitha gratë dhe vajzat të vazhdojnë tutje dhe të përballen me problemet e përditshme, jo vetëm të përballen por edhe të tejkalojnë këto probleme dhe të arrijnë rezultate të mira duke përmirësuar pozitën e tyre në shoqëri. Këtë projekt ua dedikojmë të gjitha vajzave dhe grave nga të gjitha komunitetet, e në veçanti për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian që të ua mundësojmë atyre, që të përgatiten më mirë për mundësitë që ofron shoqëria jonë dhe ta bëjmë Kosovën vend më të mire.”
Bashkëthemeluesja e FLD-së, znj. Emini, ndër të tjera shtoi se gratë dhe vajzat duhet të ndjekin ëndrrën e tyre, të punojnë dhe angazhohen për të zhvilluar vetën e tyre!