Nëse në shekullin e njëzetë, atë botë kur u shpik televizori, kishte një ndikim të thellë dhe të gjerë në natyrën dhe cilësinë e jetës moderne e të përditshme të njeriut, duke qenë më intim e më i afërt dhe burim i rëndësishëm i marrjes së informacionit, ky ndikim në ditët e sotme është zbehur, nga ardhja në jetë e mediave online.
Megjithatë, televizioni vazhdon të ketë ndikimin e vet në shoqëri dhe pikërisht sot (21 nëntor), shënohet ‘Dita Botërore e Televizionit’, e cila simbolizon komunikimin dhe globalizmin në botën bashkëkohore.
Përkitazi me këtë ditë, Radio KFOR-i ka intervistuar veteranin e gazetarisë, profesionistin e shquar, z. Zenel Buzuku, i cili për 4 dekada vazhdon ta ushtroj këtë profesion dhe në lidhje me rëndësinë e kësaj dite, tha: “Revolucioni teknologjik, përditë e më shumë po ndikon edhe në elementet më thelbësorë të të gjithë asaj që shfaqet në mediat elektronike, por mangësitë e shumta deri në vulgaritet, nuk mund t’i justifikoj asnjë përparim teknologjik. Barrën më të “rëndë” në këtë kontekst, e bartin moderatorët, nikoqirët apo udhëheqësit e emisioneve të çdo zhanri. Kujtoj që ka një dallim në të moderuarit e emisioneve informative, lajmeve dhe programeve të debatit dhe të moderuarit e emisioneve zbavitëse-argëtuese.”
Kujtojmë që ‘Dita Botërore e Televizionit’ është shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1996 dhe i ka bërë bashkë për herë të parë, institucionet kryesore të industrisë mediale, Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU), Asociacionin e Televizioneve Komerciale në Evropë (ACT) dhe Asociacionin e Radio Televizioneve me bazë në Bruksel (EGTA), duke inkurajuar shkëmbimet globale të programeve televizive, që të shfrytëzohen, ndër të tjera, për çështje të tilla si ato të paqes, sigurisë, ekonomisë, zhvillimit social dhe rritjen e shkëmbimit kulturor.