“Dita Botërore e Përkujtimit të Viktimave në Trafik”, e cila shënohet sot (21.11.21), përkatësisht çdo të diel të tretë, të muajit nëntor, përkujton ata që vdiqën ose u plagosën nga aksidente rrugore si dhe tregon gjendjen e vështirë të të dashurve të tyre, të cilët duhet të përballen me pasojat e lëndimeve apo edhe vdekjen e personave të tyre të dashur.
Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun në Policinë e Kosovës, në një raport të mëhershëm dhënë Radio KFOR-it, njoftoi për statistikat e aksidenteve fatale në trafikun rrugor, për periudhën kohore janar-korrik/2021, në Kosovë, në të cilën thuhet: “Në muajt janar – korrik/2021, kanë ndodhur 56 aksidente fatale, me 65 persona të vdekur. Bazuar në statistikat e aksidenteve për periudhën kohore 2020-2021, rezulton se vetëm në muajin korrik të këtij viti, kanë ndodhur 9 aksidente fatale, me 9 persona të vdekur, që nënkupton se është prej muajve me më së paku aksidente dhe me persona të vdekur, për periudhën krahasuese.”
Dita e sotme, në shumë vende të botës shënohet me aktivitete të ndryshme, për vetëdijesimin e personave në trafik, që tregojnë se shpejtësia vret dhe u bëhet thirrje pjesëmarrësve në trafik, që të respektojnë shenjat e komunikacionit.