“Dita Botërore e Leximit me Zë të Lartë” shënohet në fillim të muajit shkurt, duke motivuar fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit në mbarë botën për të lexuar me zë të lartë.
Kur prindërit apo mësuesit u lexojnë me zë të lartë fëmijëve, kjo ndihmon në nxitjen e zhvillimit të gjuhës dhe mësimit shoqëror-emocional.
“Leximi me zë të lartë është shumë i rëndësishëm”, kështu tha për Radio KFOR-in edhe mësuesja e Kopshtit Magjik në Prishtinë, Kosovare Gashi dhe më tutje shtoi: “Fëmijëve ju lexojmë rregullisht me zë, tregime e përralla, në mënyrë që ta kenë më të lehtë të kuptojnë dhe të mësohen t’i shqiptojnë fjalët dhe të mësojnë fjalë të reja. Përmes leximit me zë, ata bëhen kureshtarë të dinë më shumë si dhe mësohen edhe të bëjnë pyetje rreth tregimit që kanë dëgjuar.”
Shkencëtaret thonë se leximi me zë të lartë nxit lumturinë tek fëmijët. Kur prindërit apo mësuesit u lexojnë fëmijëve tregime të ndryshme, kjo krijon një shkëndijë tek fëmijët për t’u bërë vetë lexues të lumtur.