Sot (4 shkurt) shënohet “Dita Botërore e Kancerit”, synimi i së cilës është të zvogëlojë numrin e vdekjeve që ndodhin çdo vit, duke e rritur ndërgjegjësimin për sëmundjen e kancerit.
Për t’iu bashkuar botës në luftën kundër epidemisë globale të kancerit, Klinika e Onkologjisë së bashku me Shoqatën e Onkologëve, sot nga ora 12:00, organizojnë konferencë për media, duke njoftuar për të dhënat e vitit të kaluar, sfidat e tanishme, projektet e këtij viti dhe viteve të ardhshme, lidhur me menaxhimin e rasteve me kancer.
Me këtë rast, Radio KFOR-i kontaktoi Drejtorin e Klinikës së Onkologjisë, Dr. Ilir Kurtishi, i cili tregoi se cilat lloje të kancerit janë më të shfaqura dhe cilat mosha preken nga kanceri:
“Te meshkujt dominon kanceri i mushkërive. Pacientët të cilët atakohen me këtë sëmundje zakonisht janë mbi moshën 50 vjeçare. Te gjinia femërore, dominon kanceri i gjirit dhe këto forma më të shpeshta të kësaj sëmundje gjenden tek femrat mbi moshën 50 vjeç , ky është piku i parë, ndërsa piku i dytë është pas moshës 60 vjeçare edhe pse kohëve të fundit kemi femra edhe nën moshën 40-të vjeçare, të cilat kanë kancer të gjirit dhe për fat të keq kanë kancer të gjirit me forma të avancuara. Është risi që viteve të fundit kemi rritje me kancer të lukthit, kancer të pankreasit dhe te djemtë e rinj edhe me kancer të testikujve që është një gjendje jo normale përgjatë këtyre dy tri viteve të fundit”, tha kështu Dr. Kurtishi dhe në fund dha edhe një mesazh për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it:
“Qytetarët duhet që sa më herët të lajmërohen te mjeku, pasi që një e treta e rasteve me këto sëmundje mund të prevenohen dhe të mjekohen, nëse zbulohen shumë herët . Qëllimi i gjithë kësaj është që të lajmërohen te mjeku më herët dhe të diagnostifikohen më herët.”
Sot më shumë se kurrë në qendër të vëmendjes mbetet thënia: “Më e mirë është preventive, se sa shërimi.”