Me qëllim të promovimit të diversitetit dhe promovimit të idesë së të gjithë njerëzit janë të rëndësishëm dhe të barabartë, pa dallim, sot (01 mars), kudo në botë, shënohet ‘Dita Botërore e Diskriminimit Zero’.
Organizata e Kombeve të Bashkuara OKB, kremtoi për herë të parë ‘Ditën e Diskriminimit Zero’, më 1 mars të vitit 2014, pasi një program i OKB-së për HIV/AIDS filloi fushatën e saj të diskriminimit zero në ‘Ditën Botërore të AIDS-it’, në dhjetor të vitit 2013. Një vit më pas, OKB dhe organizatat tjera botërore festuan zyrtarisht ditën e 1 marsit, në përpjekje për të promovuar të drejtën e të gjithëve për të jetuar me dinjitet të plotë, pavarësisht moshës, gjinisë, drejtimit seksual, kombësisë, përkatësisë etnike, ngjyrës së lëkurës, lartësisë, peshës, profesionit, arsimit dhe besimit.
Sipas OKB-së, shumë vende kanë ligje kundër diskriminimit, mirëpo kjo çështje ende mbetet një problem në të gjitha shtresat e shoqërisë, në çdo vend të botës.
Diskriminimi vazhdon të minojë përpjekjet për të arritur një botë më të drejtë dhe të barabartë dhe shkakton dhimbje dhe vuajtje për shumë njerëz. Ka shumë forma, nga diskriminimi racial ose fetar, diskriminim në bazë të gjinisë, orientimit seksual ose moshës si dhe ngacmimi në shkollë ose në punë, diskriminimi në qasje për kujdes shëndetësor, etj.