Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Znj. Pia Stjernvall, në prag të përfundimit të misionit të saj në Kosovë, ka organizuar dje (28.02.22), një diskutim mbi barazinë në përgjithësi, me fokus barazinë gjinore. Përveç përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë, në këtë diskutim të ftuara ishin edhe dy studente nga Finlanda, të cilat ndanë përvojat dhe përshtypjet e tyre për barazinë.
Në një intervistë për Radio KFOR-in, ambasadorja finlandeze, Znj. Stjernall, tha se barazia është mundësia e vetme për të qenë vetvetja: “Barazia është mundësi të jeni vetvetja dhe të pranoheni si të tillë nga të tjerët. Kemi shumë organizata këtu në Kosovë si: UN Women, UNICEF-i dhe KFOR-i që kanë bërë shumë edhe në këtë drejtim. Kosova ka shumë të rinj të shkëlqyer dhe duhet t’i shtyjmë që të mos largohen nga vendi.”
Në këtë aktivitet i pranishëm ishte edhe shefi i zyrës së CIMIC-ut në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, Jarmo Holopainen, i cili theksoi rëndësinë e barazisë në jetën tonë të përditshme dhe në misionin e KFOR-it: “Është shumë e rëndësishme për ne që të kemi barazi dhe është fjalë kyçe në punën tonë. Barazia është shumë e rëndësishme për ne edhe kur kemi të bëjmë me organizata ndërkombëtare apo me njerëz vendor. Mundohuni të jeni të barabartë me njëri-tjetrin pavarësisht gjinisë apo përkatësisë etnike dhe të gjithë njerëzit duhet t’i ndihmojnë njerëzit e tjerë, që të jenë të barabartë.”
Arritja e barazisë gjinore kërkon angazhimin e grave dhe burrave, vajzave dhe djemve. Është përgjegjësi e të gjithëve.