Arkitektët kanë aftësinë të ndryshojnë botën nëpërmes krijimeve të tyre kreative dhe artistike. Arkitektura përveç që shpërfaq në hapësira publike ndërtime të bukura, ajo paraqet edhe historinë dhe kulturën e një vendi.
Sot, me 3 tetor, bota nderon punën e arkitektëve në ‘Ditën Botërore të Arkitekturës’, një ditë kjo që shënohet që nga viti 1985, nën inicimin e Unionit Ndërkombëtar të Arkitektëve. Rreth kësaj dite, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me arkitektin dhe nënkryetarin e Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, z. Bledion Baraliu, i cili tregoi për rëndësinë e kësaj dite dhe për punën e komunitetit të arkitektëve: “Kjo ditë u krijua me qëllim që ti “kujtohet botës përgjegjësia e saj për të ardhmen e habitatit njerëzor”. Shënimi i ‘Ditës botërore të Arkitektit’, është me rëndësi si në rrafshin simbolik, ashtu edhe në atë profesional e praktik. Simbolikisht – është me rëndësi të shënohet, vlerësohet dhe çmohet profesioni sublim i Arkitektit, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë që ka në definimin, funksionimin dhe përmirësimin e kualitetit të jetesës së njerëzimit, në të gjitha sferat, jo vetëm në ndërtesa. Në rrafshin profesional e praktik – për shkak së të paktën një herë në vit, vlerësohen veprat arkitektonike anekënd botës, gjegjësisht ngritët vetëdija lidhur me misionin dhe impaktin që ka në shoqëri, roli i arkitektit – si bosht i zhvillimit dhe avancimit të shumë proceseve jetësore.”
Në një komunikatë për media nga ‘’Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës’, mësuam se ‘Dita Botërore e Arkitektëve’, këtë vit shënohet me temën: “Mind the Gap. Leave No One and Place Behind” (Mendoni boshllëkun. Mos lini askënd dhe vend prapa), që shqyrton problemin e pabarazisë në rritje dhe sfidave në qytete dhe vendbanime njerëzore.