Dita e sotme ’26 qershor’, simbolizon ‘Ditën Botërore të luftës kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave’, e caktuar për herë të parë më 7 dhjetor 1987, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me qëllim të krijimit të një shoqërie të shëndoshë dhe pa drogë.
Kombet e Bashkuara, qeveritë, organizatat joqeveritare, mediat dhe qytetarët në mbarë botën, e shënojnë këtë ditë për të rritur ndërgjegjësimin për ndikimin e abuzimit të drogës dhe trafikimit të paligjshëm të saj. Se ku qëndron Kosova në këtë aspekt, Radio KFOR-i kontaktoi drejtorin e Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, z. Safet Blakaj:
“Në të kaluarën kemi pasur probleme të shumta me përdorues të drogës së llojit heroinë, e këto 5 vitet e fundit ka rënë dukshëm, ndërkaq drogat e llojit kanabais dhe marihuana, janë jashtëzakonisht të përhapura edhe gjeografikisht edhe për nga përdoruesit, kurse droga e dytë që përdoret shumë tek ne është kokaina, gjë që na shqetëson shumë”, kështu na njoftoi z. Blakaj, i cili poashtu bëri një krahasim me vendet që na rrethojnë përsa i përket përdorimit të drogave.
“Krahasuar me regjionin, nuk mund ta quajmë situatën alarmante, megjithëse shqetësim shumë i madh për ne është rënja e moshës së përdoruesve, që na paralajmëron që në të ardhmen e afërt mund të kemi një shpërthim edhe më të madh të shtimit të përdoruesve të rinj”, shtoi poashtu z. Blakaj .
Çdo vit, 200.000 persona vdesin nga sëmundje që janë të shkaktuara nga përdorimi i drogave dhe sipas studimeve të ekspertëve në këtë fushë gjykohet se numri i personave të cilët kanë përdorur të paktën një herë substancat psikoaktive të paligjshme variojnë midis 40.000 deri në 60.000 persona.