Viti 2019-të shënon fillimin e fushatës 3-vjeçare “Unë jam dhe do të jem”, e cila shënon 4 Shkurtin, Ditën Botërore të Kancerit. Gjatë kësaj dite e gjithë bota bashkohet në luftën kundër sëmundjes globale të kancerit, synimi i së cilës është që të zvogëlojë numrin e vdekjeve që ndodhin çdo vit, duke rritur ndërgjegjësimin për sëmundjen e kancerit. Si e gjithë bota edhe Kosova e shënon këtë ditë, për të kontribuar në informimin e popullatës dhe institucioneve adekuate për sëmundjen e kancerit. Me këtë rast, Radio KFOR-i kontaktoi, drejtorin e Klinikës së Onkologjisë, doktor Ilir Kurtishin, i cili tregoi se përgjatë vitit 2018-të, në Kosovë janë regjistruar 1.500 raste të reja me kancer, ku në krahasim me vitet paraprake nuk ka ndonjë dallim të madh si dhe na njoftoi se cilat lloje të kancerit trajtohen në Kosovë: “Klinika e Onkologjisë kryen komplet trajtimin e tumoreve solide, pra bëjmë mjekimin e tumoreve solidr, jo të tumoreve të elementeve të gjakut siç janë të leukemisë, që duhet të mirret një shërbim tjetër, ose te tumoret tek fëmijët që merret Pediatria Onkologjike, e cila ka filluar të jep rezultatet e para”, tha doktor Iliri.
Për fund ai pati edhe një mesazh për dëgjuesit e Radio KFOR-it:
“Mesazhi im për të gjithë është që mos të kenë frikë të lajmërohen tek mjeku, në mënyrë që sëmundjen ta zbulojmë sa më herët dhe bashkërisht të luftojmë deri në fund.”