Ashtu sikurse çdo sferë tjetër edhe shërbimet e transportit po përballen edhe më tutje me sfida që i ka sjell situata pandemike. Për të kuptuar se cilat janë disa nga këto sfida të pandemisë, Radio KFOR-i ka biseduar me një shofer taksie, taksistin Haxhi Gashi: “Përgjatë kësaj kohe jemi përballë dhe po vazhdojmë që të përballemi me sfida, ndër to e kisha përmend maskën me të cilën jemi të obliguar që të drejtojmë automjetin, ndërsa vështirësi më të cilën po përballemi është edhe masa për kohën e lëvizjes. Për shembull, kur na bije që të jemi në ndërrimin e dytë të ditës, pas orës 22:00, nuk po kemi pasagjerë, gjë që reflekton më pas edhe në të ardhurat financiare.”
Z.Gashi, tregoi gjithashtu se pasagjerët kanë respektuar në vazhdimësi masat anti-CoViD-19 dhe nuk ka ndodhur që pasagjeri të kundërshtojë mbajtjen e maskës përgjatë kohës së qëndrimit në taksi, duke dërguar mesazh tek të gjithë, që të vaksinohen, pasi vetëm duke u vaksinuar do ta mundim virusin.
Ndërkohë sa i përket rregullave për taksitë, veç maskës, pasagjeri nuk mund të ulet në ulësen e pasagjerit afër shoferit, vetëm në ulëset e pasme të veturës, ndërsa sa i përket numrit të pasagjerëve brenda një veture të taksive, mund të jenë deri në 2 pasagjerë.