30 marsi, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Bipolaritetit”, e kjo datë është përzgjedhur në datën e lindjes së piktorit holandez Vincent Van Gogh, i cili pas vdekjes ishte diagnostikuar se kishte një gjendje bipolare, pasi episodet nga jeta e tij e trazuar, dolën në plan të parë. Bipolariteti sot, prek qindra e mijëra njerëz në botë, e “Dita Botërore e Bipolaritetit” ka për qëllim që ndërgjegjësojë shoqëritë për bipolaritetin dhe të eliminojë stigmën shoqërore. Për të kuptuar më shumë për bipolaritetin, Radio KFOR-i ka zhvilluar intervistë me Psikologen dhe Terapisten Stimuluese në Ambulancën Specialistike të Psikologjisë Klinike “Visar A. Sadiku”, Dr. Vlora Fejza e cila na tregoi: “Bipolariteti është një çrregullim i shëndetit mendor, i cili tek individët paraqitet si luhatje ekstreme e humorit. Bipolariteti ndryshe njihet edhe si depresion maniak. Ndryshimet e mëdha të humorit janë shenja kryesore që tregojnë për dikë që po vuan nga çrregullimi bipolar. Këto ndryshime të humorit ndikojnë në gjumin, energjinë, aktivitetin ditor, sjelljen, probleme në përqendrim dhe aftësinë për të menduar qartë dhe drejtë. Njerëzit të cilët kanë çrregullime bipolare kërkojnë më shumë kujdes, andaj është e rëndësishme të këshilloheni nëse po mendoni që po vuani nga ky lloj çrregullimi.”
Bipolariteti mund të kontrollohet me terapi, por është shumë e rëndësishme që personat që janë të prekur nga llojet e ndryshme të bipolaritetit, të kenë mbështetjen e familjes dhe rrethit shoqërore.
“Trajtimi mund të ndihmojë në uljen e simptomave, konsultohuni me familjen tuaj dhe tregoni atyre për gjendjen si dhe me e rëndësishme është të kërkoni ndihmë mjekësore tek ofruesit e kujdesit shëndetësor – mendor. Kryesisht janë mjekët, ata të cilët diagnostikojnë çrregullimin bipolar, bazuar në simptomat e një individi, përvojat jetësore dhe në disa raste, historinë familjare mos ndokush nga ta ka vuajtur nga çrregullimi i njëjtë”, tha Dr. Fejza duke shtuar se diagnostikimi i saktë dhe i hershëm, është shumë i rëndësishëm.
Bipolaritetit ka dy faza: maninë bipolare dhe fazën depresive. Në fazën e manisë, një person është përgjithësisht tepër aktiv. Ata nuk flenë shumë. Edhe nëse kanë fjetur një deri në dy orë, ndihen të freskët. Ka shqetësim dhe pamundësi për t’u ulur në një vend. Faza tjetër është faza depresive, ku disponimi i personit është i ulët dhe nuk ka dëshirë që të merret me ndonjë aktivitet, nuk ka shumë interes për asgjë dhe nuk dëshiron që të ngrihet nga shtrati.