Java e parë e muajit tetor, në SHBA njihet ndryshe edhe si ‘Java e Ndërgjegjësimit për Sëmundjet Mendore’. Gjatë kësaj jave Aleanca Kombëtare për Sëmundje Mendore dhe pjesëmarrësit në të gjithë Shtetet e Bashkuara, mundohen që të rrisin ndërgjegjësimin publik për sëmundjen mendore, simptomat e saj dhe përhapjen në shoqëri. Kjo javë, përmbyllet me aktivitete të shumta me ‘Ditën Botërore të Shëndetit Mendor’, e cila shënohet me datën 10 tetor. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shëndeti mendor është mirëqenie në të cilën një individ realizon potencialin e tij ose të saj, mund të përballojë streset normale të jetës, punon në mënyrë produktive dhe kontribuon në komunitet. Për shkak të situatës globale me CoViD-19, gjatë viteve të fundit, gjithnjë e më shumë po vërtetohet rëndësia e shëndetit mendor në arritjen e qëllimeve të zhvillimit global, gjë që dëshmohet nga përfshirja e shëndetit mendor në qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm.
Në të gjithë globin, më shumë se 450 milionë njerëz vuajnë nga çrregullime të spektrit mendor. OBSH-ja vlerëson se mbi 151 milionë njerëz vuajnë nga depresioni, 26 milionë nga skizofrenia dhe 125 milionë nga çrregullimet lidhur me alkoolin apo përdorim të substancave.
Këtë vit, në fokus do të jetë parandalimi i vetëvrasjeve, veçanërisht tek të rinjtë, për të larguar stigmën dhe diskriminimin, për personat që vuajnë nga shqetësime mendore, mirëpo hezitojnë të flasin për to dhe të marrin kujdesin e duhur.







