Të gjithë e dimë se kafshët janë një pjesë e rëndësishme e ekosistemit tonë, ato jo vetëm që na mbështesin dhe përmirësojnë jetën tonë, por gjithashtu i mësojnë njeriut kuptimin e vërtetë të miqësisë. Çdo vit, më 4 tetor festohet ‘Dita Botërore e Mirëqenies së Kafshëve’, ditë kjo e cila edhe feston marrëdhënien midis njerëzve dhe kafshëve, prandaj dhe kjo ditë na lejon të festojmë ekzistencën e tyre.
Këtë na e dëshmojnë shumë njerëz që mbajnë kafshë në shtëpi, besnikërinë dhe dashurinë e të cilëve e kanë provuar gjatë jetës së tyre. Se sa e do qenin e saj, për Radio KFOR-in, tregoi Dorina Karaxha: “Qeni im quhet Snou dhe i përket racës malteze, ndërsa emri i vjen pikërisht prej pamjes së tij. Është pjesë e familjes sonë prej 4 vitesh dhe shpeshherë është më i përkëdheluri nga të gjithë. Sinqerisht nuk besoj që mund ta përshkruaj reagimin e kësaj krijese, kur unë kthehem nga puna, çdo lodhje e stres e harroj qysh në ato sekondat e para kur e shoh.”
Për të përhapur mesazhin e paqes dhe dashurisë për kafshët, sot në ‘Ditën Botërore të Mirëqenies së Kafshëve’, organizohen ngjarje të ndryshme, për një qëllim të vetëm, i cili është shumë më i madh nga çdo ndryshim që kemi ne njerëzit, motivin për të ndarë të drejtat e kafshëve dhe për ti mbrojtur ato, në mbarë botën.