‘Dita Botërore e Shëndetësisë’, e cila shënohet sot (07 prill), e gjenë gjithë globin në një situatë të rënduar si pasojë e pandemisë COVID-19.
Në lidhje me rëndësinë e kësaj dite dhe sfidat me të cilat sot përballet shëndetësia, Radio KFOR-i kontaktoi Udhëheqësin e Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministri të Shëndetësisë, z. Faik Hoti, i cili nënvizoi:
“Edhe Kosovën, sikurse gjithë botën, kjo ditë e shënuar për shëndetësinë e gjenë duke u ballafaquar me pandeminë COVID-19, me pasojat e saj si në rrafshin shëndetësor, ashtu edhe në atë social e ekonomik. Përtej anës së vështirë të kësaj sfide, kjo ditë e gjenë Kosovën me profesionistë shëndetësor më të përgatitur për t’u ballafaquar në fazat e mëtejmë të pandemisë, me kapacitete të fuqizuara si në aspektin e gjurmimit, zbulimit dhe diagnostikimit të rasteve me COVID-19, ashtu edhe në atë të trajtimit klinik të tyre. Përfundimisht, edhe me një fillim të procesit të vaksinimit kundër COVID-19, me gjithë vonesat, që shihet si shpresë për t’u kthyer gradualisht në një “normalitet” tjetër, nëse krahas vaksinimit, zbatohen edhe masat esenciale kundër COVID-19, si bartja e drejtë e maskës, distanca fizike e sociale dhe mbajtja e higjienës’’, tha z. Hoti.
‘Dita Botërore e Shëndetit’ këtë vit, do të përkujtohet globalisht, me temën “Së bashku për një botë më të drejtë, më të shëndetshme”. Me këtë rast, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bën thirrje për veprim urgjent për të eleminuar pabarazitë shëndetësore dhe për të mobilizuar veprime për të arritur shëndet më të mirë për të gjithë.