Data e sotme 11 tetor, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Obezitetit” dhe kjo ditë ka për synim të rrisë investimet nga autoritetet, profesionistët e shëndetit publik dhe ofruesit e shërbimeve shëndetësore, në luftë me obezitetin. Kjo nënkupton investime për parandalim, zbulim të hershëm të obezitetit dhe trajtim të pasojave nga ai.
Me këtë rast, Radio KFOR-i ka realizuar një intervistë me Dietologen dhe Nutricionisten, Vala Pupovci, e cila tregoi se obeziteti mund të luftohet dhe është një sëmundje bashkëkohore që po prek miliona njerëz nga e mbarë bota: “Obeziteti është një prej shkaktarëve më të zakonshëm të paraqitjes së sëmundjeve të zemrës dhe sëmundjeve të tjera shoqëruese. Sot është një përqindje e madhe e njerëzve që vuajnë nga obeziteti dhe mënyra se si ta parandalojmë, është duke konsumuar ushqim sa më të shëndetshëm. Një nga mënyrat me të cilat edhe unë trajtojë pacientët, është duke zvogëluar kaloritë ditore dhe kjo bëhet duke konsumuar ushqime të shëndetshme, p.sh. 5 porcione të frutave dhe perimeve në ditë, 5 deri në 7 porcione të drithërave integrale dhe diku 3 deri në 4 porcione të produkteve që janë me bazë proteinike, qoftë ajo me bazë shtatore (mishi i pule, mishi i peshkut apo edhe veza).”
Znj. Pupovci tha gjithashtu që duhet të limitohen ose të eliminohen fare nga menyja jonë ditore, ushqimet e pashëndetshme si ushqimet e shpejta (fast-food) dhe ëmbëlsirat që përmbajnë shumë kalori.
Ndryshe, këtë vit “Dita Botërore e Obezitetit” shënohet me moton “Së bashku ne mund të krijojmë një të ardhme të shëndetshme” dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë sivjet ka inkurajuar zgjidhje praktike për të ndihmuar njerëzit të arrijnë dhe të mbajnë një peshë të shëndetshme duke marr trajtimin e duhur.