Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka bërë të ditur se që nga fillimi i vitit shkollor 2020/2021, 41 mësimdhënës kanë rezultuar pozitiv nga 872 sa janë testuar deri më tani, në 10 komuna të ndryshme të Kosovës.
Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Diellza Kukaj, në një përgjigje për Radio KFOR-in, ka bërë të ditur se deri më tani, janë po ashtu edhe 13 nxënës, të cilët kanë rezultuar pozitiv me ‘CoViD-19’ dhe tutje, ajo na tregoi se çka është duke ndërmarr MASH, për ta mbajtur nën kontroll përhapjen e pandemisë nëpër shkolla: “MASH ka hartuar Protokollin e reagimit ndaj pandemisë ‘CoViD – 19’ në shkolla, që ka qëllim të përcaktojë mënyrën e reagimit të menaxhmentit të personelit të shkollave dhe të DKA-ve në rast të paraqitjes së rasteve të infektimit individual ose grupor të nxënësve ose të personelit të shkollave, gjatë zbatimit të procesit mësimor në shkolla. Në secilin rast kur një mësimdhënës tregon simptoma të ngjashme me Covid-19, menaxhmenti i shkollës duhet të informojë DKA-në/QKMF-në përkatëse dhe DKA pastaj duhet të: gjejë zëvendësim të përkohshëm brenda stafit të shkollës menjëherë, sigurojë testimin për ‘CoViD – 19’, në afatin sa më të shkurtër për mësimdhënësin dhe në rast të rezultatit pozitiv, më pas të gjejë zëvendësim nga mësimdhënësit e shkollës ose nga lista e mësimdhënësve rezervë në komunë. Në këtë rast të gjithë nxënësit e klasës përkatëse dhe kontaktet e mësimdhënësit kalojnë në mësim online.”
Znj. Kukaj, gjithashtu tha se deri më tani nuk kanë pasur reagime për mos-zbatueshmëri të masave anti-CoViD nëpër shkolla dhe shtoi: “Task forca në nivel të DKA-së dhe task forca, janë përgjegjëse për formën e organizimit të mësimit dhe sigurojnë që institucionet edukative e arsimore kanë krijuar të gjitha kushtet për zhvillimin e mësimit sipas udhëzuesit të përgjithshëm të MASh, rekomandimeve të MSH dhe IKSHPK, për cilindo nga skenarët. Gjithashtu task forca komunale dhe ajo e shkollës, raportojnë çdo javë për mbarëvajtjen e mësimit dhe në bazë të vlerësimit të situatës vendosin për veprimet e mëtutjeshme.”