Bota është një dhe e të gjithëve është njësoj, pa dallim gjinie, etnie, race apo religjioni, andaj duhet ta trajtojmë si të tillë. Ky është mesazhi që ka përçuar pandemia e njohur si ‘Covid – 19’, e cila vuri në pah se sa simbolik janë kufijtë fizik mes shteteve.
Me gjithë anët negative të saj, pandemia e koronavirusit na ka mësuar të duam më shumë, të kujdesemi më shumë dhe t’ua dimë vlerën akoma më shumë disa prej gjërave më të rëndësishme në jetën tonë, siç janë: familja, dashuria, shoqëria dhe puna.
Në përballje me koronavirusin të gjithë jemi bashkë, pa dallime. Andaj, është e rëndësishme që kështu bashkë, pa dallime, ta shfrytëzojmë këtë moment për të krijuar një botë më të fortë, më të bashkuar dhe më të dashur për të ardhmen.
Edhe disa dëgjues të Radio KFOR-it, të cilët do t’i citojmë në vijim, e kanë parë pandeminë si moment reflektimi:
“Pandemia e koronavirusit më ka bërë që të mendoj më shumë për mënyrën se si kam jetuar deri më tani. Më ka mësuar se pavarësisht angazhimeve, gjithmonë duhet të gjejmë kohë për familjen dhe më të dashurit tanë, sepse një ditë kur nuk do t’i kemi pranë nesh, do të bëhemi pishman” – thotë Agroni.
“Pandemia ka marrë shumë jetë njerëzish dhe kjo i ka mërzitur të gjithë. Por, në anën tjetër na ka dhënë mësim që njerëzit në tokë nuk duhet ta luftojnë njëri – tjetrin, por duhet të bëhen bashkë për të luftuar armiq të padukshëm, siç është kjo pandemi. Jam e bindur që pasi të kaloj kjo pandemi, njerëzit do të jenë më bashkëpunues me njëri – tjetrin” – thotë Mirjeta.
Më shumë dashuri, më shumë paqe dhe më shumë bashkëpunim mes të gjithëve, pa dallim, duhet ta karakterizojnë botën pas prekjes së globit nga sëmundja COVID-19.