Jo vetëm gjatë kësaj kohe sa jemi duke qëndruar të mbyllur për shkak të virusit të quajtur COVID-19, që tashmë jemi të detyruar të ndjekim mësimet online, por edhe para kësaj gjendje shumë njerëz kanë preferuar mësimin online për të ngritur nivelin e tyre të arsimit, apo për të marr kurse kualifikuese.
Siç e dimë, që nga fillimi i ekzistencës njerëzore, çdo gjeneratë u përpoq të kalojë njohuritë e veta tek brezi i ardhshëm; në fillim ajo filloi gojarisht, pastaj u shpik shkrimi, për të arritur deri në krijimin sistemeve arsimore.
Kushtet arsimore me kohë u përmirësuan. Në vitin1960, Universiteti i Illinois-it shpiku një sistem që lidh profesorët me studentët, të cilët mund të kishin qasje në materialet e tyre të studimit dhe njëkohësisht të komunikojnë me profesorët e tyre. Pas kësaj, në vitet 1990 u shfaq një sistem i ri arsimor, ai varej kryesisht nga teknologjia kompjuterike dhe interneti për të paraqitur detyrat e shtëpisë ose për të lexuar materialin e kërkuar dhe së fundmi, shumë universitete private filluan të ofrojnë diploma akademike përmes internetit. Edhe pas gjithë këtyre arritjeve, ka shumë njerëz që e kundërshtojnë mësimin online, por ka edhe të tjerë që e përkahin. Pikërisht për këtë, Radio KFOR-i ka intervistuar disa dëgjues për të ditur se çfarë mendojnë ata, a më shumë e preferojnë mësimin tradicional apo atë online:
– “Mësimi online për mua është më i përshtatshëm, sepse nuk ta kufizon të mësuarit vetëm brenda katër mureve të shkollës. Nuk është e thënë që të mësohet vetëm nga një mësimdhënës, sepse burimet e mësimit janë kudo në internet, pa marrë parasysh vendin dhe kohën”, kështu tha dëgjuesja Gresa.
– “Edukimit Online tanimë është i dobishëm jo vetëm për nxënësit apo studentët, mësimi online është i mirë edhe për mësimdhënësit si dhe për institucionet arsimore,” ky ishte mendimi i dëgjuesit tonë Mentorit, kurse dëgjuesi tjetër, Adnani kishte një mendim ndryshe:
– “Mendohet se disa njerëz pajtohen dhe mendojnë se edukimi online është më i mirë e më i përshtatshëm, por unë mendoj se mësimi tradicional është më i mirë, sepse përveç mësimeve aty ke edhe ndërveprime direkt me bashkëmoshatar dhe me mësimdhënësin.”
Për sa kohë që interneti po zgjerohet, arsimi online do të vazhdojë të rritet duke sjellë më shumë zgjidhje dhe ide të reja. E ardhmja për të dy sistemet online dhe tradicionale duket e ndritshme dhe pritet të ketë shumë përmirësime.