Javët e fundit, institucionet shëndetësore në vend kanë pasur një fluks më të madh të qytetarëve me grip sezonal. Ngjashmëria që kanë simptomat e gripit të zakonshëm me CoViD-19, kanë bërë që shumë qytetarë të dyshojnë se mund të jenë të prekur me virusin korona. Në mënyrë që të sjellim një pasqyrë të përgjithshme të dallimeve në mes të CoViD-19 dhe gripit të zakonshëm, Radio KFOR-i ka pyetur Specialistin e Pomologjisë dhe Mjekësisë Familjare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, z. Arbër Ismaili, i cili tha: “Tash e dy vite jemi ne kohën e pandemisë, shkaktuar nga CoViD-19. Për momentin në Kosovë kemi numër të zvogëluar të rasteve me CoViD-19, megjithatë i lusim të gjithë qytetarët që të zbatojnë masat anti-kovid, të dala nga institucionet shëndetësore, siç janë mbajtja e maskës, mbajtja e distancës fizike dhe pastrimi i shpeshtë i duarve si dhe të vaksinohen me vaksinat kundër CoViD-19. E njëjta thirrje për vaksinim vlen edhe për vaksinat kundër gripit të zakonshëm. Personat të cilën rekomandohet që të vaksinohen kundër gripit të zakonshëm, janë personat e moshës mbi 55 vjeçare dhe ata që vuajnë nga sëmundjet kronike të sistemit respirator, si astma bronkiale, bronkiti kronik obstruktiv, sëmundjet e sistemit kardiovaskular si dhe sëmundja e diabetit. Pasi gjatë kësaj kohe kemi rritje të numrit të rasteve me grip të zakonshëm, është e nevojshme që të tregojmë cili është dallimi në mes të këtij gripi dhe virusit CoViD-19. Te gripi i zakonshëm, kemi të bëjmë me ankesa më të lehta si: dhimbje të fytit, dhimbje trupore, sekret nga hunda dhe kollitje, ndërsa tek rastet e të infektuarve me CoViD-19, këto ankesa janë më të theksuara, më të shprehura dhe shoqërohen edhe me pengesa në frymëmarrje, me dhimbje të forta të kokës dhe me temperaturë.”
Siç na njoftoi edhe z. Ismaili, për shkak të ngjashmërisë së simptomave që ka gripi i zakonshëm me ato të CoViD-19, qytetarët e prekur nga gripi, ata të cilët kanë simptoma më të theksuara, shpesh u rekomandohet edhe testimi kundër CoViD-19.