Kontingjenti kanadez i cili vepron në kuadër të KFOR-it në Kosovë, ditë më parë ndihmoi degën e OPFAKOSS-it në Skënderaj, duke i ofruar kompjuter dhe pajisjet e tjera të duhura, në mënyrë që t’iu lehtësojë punën administrative, që deri më tani, në mungesë të kompjuterit të gjitha të dhënat e duhura i kanë shkruar me dorë.
Gjatë procesit të pranim-dorëzimit të kompjuterit dhe pajisjeve të tjera, stafi i Radio KFOR-it ishte i pranishëm, ku edhe intervistoi kryetarin e degës së OPFAKOSS-it në Skenderaj, Haki Ismaili, i cili tha:
„Detyrë e organizatës tonë është që t’i identifikojmë personat me aftësi të kufizuar, gjendjen e tyre shëndetësore, të marrim shënime për ta dhe përmes atyre të dhënave ne të kërkojmë nga institucionet vendore shëndetësore që atyre t‘iu jepet ndihma mjekësore dhe të përfitojnë medikamente dhe pajisje që atyre iu duhen. Përmes këtyre pajisjeve ne do t’i regjistrojmë të dhënat rreth personave me aftësi të kufizuar, me ata që kanë probleme me të dëgjuar, me shikim, çrregullime në sjellje, retardime psiko-motorrike dhe dëmtime në duar ose këmbë. Kemi pasur probleme dhe vështirësi shumë të mëdha, më është dashur që të gjitha shënimet t‘i shkruaj me dorë, pastaj më është dashur të shkoj në shtëpi për t’i shkruar në kompjuter, t’i regjistroi në USB-i, e pastaj të shkoj në ndonjë fotokopje për t’i printuar.“
Kontingjenti kanadez i cili vepron në kuadër të KFOR-it në Kosovë, ka realizuar projekte të shumta, por sa i përket projektit të fundit, Majori kanadez, Tyler Lavigne, theksoi:
“Gjatë rotacionit tonë ne po kërkonim një mundësi përfitimi që do t’iu ndihmonte njerëzve të Kosovës. Kështu që, kur dëgjuam për këtë organizatë që bën punë humanitare, në mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuara, menduam se jemi në vendin e duhur. Duke pasur parasysh faktin se ata nuk kishin pajisje themelore , ne ishim shumë entuziastë për t’iu ndihmuar. Pra, për ne ishte një privilegj dhe një nder t’iu siguronim një kompjuter me të gjitha pajisjet, për t’iu dhënë mundësi që të përfundonin detyrat e tyre. Mesazhi im për njerëzit e Kosovës është: krenohuni për gjithçka që keni realizuar, si kjo organizatë që ofron ndjeshmëri dhe dhembshuri për të përmirësuar jetën e të gjithëve në këtë vend, përmes kësaj ju jepni një ndjenjë të mirë për të ardhmen dhe inkurajoni të gjithë të tjerët që të marrin përsipër kësi lloj aktivitetesh, duke e ndjekur shembullin e organizatës OPFAKKOS.”
Në këtë aktivitet bamirës e pranishme ishte edhe Kapitenja Denisa Pllumaj, oficere koordinuese në zyrën e CIMIC-ut, në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Kosovë, e cila për Radio KFOR-in deklaroi:
“KFOR është këtu për t’i mbështetur të gjithë njerëzit e Kosovës, duke i bërë ata të ndjehen më të sigurt dhe duke iu ofruar gjithçka që mundemi. Pra, KFOR-i është i përqendruar në rolin e tij të funksionimit, për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për gjithë njerëzit e Kosovës, si dhe është i angazhuar gjithashtu të mbështesë përpjekjet e komuniteteve për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe më të shëndetshme për gjeneratat e ardhshme. KFOR-i është këtu për t’ju mbështetur dhe për ta bërë Kosovën një vend të sigurt dhe me një jetë më të mirë.”
Donacioni i lartpërmendur ishte vetëm një nga projektet e shumta që realizon KFOR në Kosovë, ndërsa prapë sot (20 gusht), Kontingjenti kanadez do të prezantojë projektin tjetër të radhës, në Pejë.