Minat tokësore janë armë që vazhdojnë të shkaktojnë viktima edhe shumë vite pas përfundimit të konflikteve apo luftërave. Ato shpesh janë të fshehura në tokë dhe mund të aktivizohen nga një hap i vetëm, duke shkaktuar plagë të rënda ose edhe vdekje. Viktimat më të zakonshme janë civilët, përfshirë fëmijët, të cilët nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun. Data e sotme 4 prill, shënon ‘Ditën Ndërkombëtare për Ndërgjegjësim ndaj Minave’, që ka si qëllim të rrisë ndërgjegjësimin global për rrezikun që paraqesin minat tokësore dhe mbetjet e tjera shpërthyese.
Kjo ditë është një kujtesë e rëndësishme për pasojat afatgjata të konflikteve dhe nevojën urgjente për pastrimin e zonave të minuara dhe synon të promovojë përpjekjet ndërkombëtare për çminim dhe për të nxis shtetet që të angazhohen për eliminimin e këtyre armëve të rrezikshme me pasoja afatgjate. Organizatat ndërkombëtare dhe lokale luajnë një rol kyç në identifikimin dhe pastrimin e zonave të minuara, duke bërë të mundur që komunitetet të jetojnë në siguri dhe të përdorin tokën e tyre për bujqësi dhe zhvillim.
Përveç pastrimit të minave, një aspekt shumë i rëndësishëm është edukimi i qytetarëve. Fushatat informuese ndihmojnë njerëzit të njohin shenjat paralajmëruese dhe të shmangin zonat e rrezikshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në vendet që kanë përjetuar konflikte të armatosura, ku minat ende përbëjnë një kërcënim real.







