Sot më 4 prill, vendet anëtare të NATO-s shënojnë përvjetorin e themelimit të aleancës, një moment që rikujton rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për sigurinë dhe stabilitetin global. Kjo organizatë u themelua me firmosjen e Traktatit Atlantiko-Verior më 4 prill, të vitit 1949 në Uashington DC, mirëpo qendra e saj është në Bruksel.
E krijuar në një periudhë tensionesh të larta gjeopolitike, Organizata e Traktatit Atlantiko-Verior (NATO) vazhdon të mbetet një faktor kyç në ruajtjen e paqes dhe mbrojtjes kolektive midis vendeve anëtare.
Gjatë dekadave, aleanca është zgjeruar dhe përshtatur me sfidat e reja të sigurisë, duke përfshirë kërcënimet kibernetike, terrorizmin dhe konfliktet rajonale. Përmes misioneve dhe operacioneve të ndryshme, NATO ka luajtur një rol të rëndësishëm në menaxhimin e krizave dhe forcimin e partneriteteve ndërkombëtare.
Në këtë ditë, liderët botërorë theksojnë rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit mes vendeve anëtare, ndërsa riafirmojnë angazhimin për të mbrojtur vlerat demokratike dhe sigurinë kolektive.







