Kooperativat janë organizata që formohen nga një grup njerëzish të cilët bashkohen vullnetarisht për të përmbushur nevojat dhe qëllimet e tyre të përbashkëta ekonomike, sociale dhe kulturore, përmes një biznesi që e zotërojnë dhe e menaxhojnë në mënyrë demokratike.
Çdo vit, të shtunën e parë të muajit korrik, bota shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Kooperativave’, që i kushtohet vlerësimit të rolit jetik që luajnë kooperativat në zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor të komuniteteve në mbarë botën. Kjo ditë u shpall nga Kombet e Bashkuara në vitin 1995, për të përkujtuar 100-vjetorin e Aleancës Ndërkombëtare të Kooperativave, ndërsa kooperativat si lëvizje, datojnë nga fundi i shekullit të 19-të.
Kooperativat funksionojnë në shumë sektorë: bujqësi, energji të ripërtëritshme, shërbime financiare, strehim, tregti dhe arsim. Ato janë modele biznesi të bazuara në vlera si solidariteti, vetë-ndihma, përgjegjësia, barazia, drejtësia dhe demokracia. Sipas OKB-së, më shumë se 1 miliard njerëz në botë janë anëtarë të një kooperative dhe mbi 280 milionë punë të ndryshme, janë të lidhura me këtë model ekonomik, duke dëshmuar për rolin e tyre të rëndësishëm në ekonominë globale.







