Duke njohur rëndësinë dhe fuqinë që ka media, “Community Building Mitrovica” është duke mbajtur trajnimin, tre ditor, me përfaqësues të mediave të Kosovës për të trajnuar dhe angazhuar pjesëmarrësit se si të merren, të raportojnë, mbi pajtimin dhe transformimin e konflikteve, të krijojnë besim me audiencën dhe të përcjellin mesazhet në mënyrë të qartë, me qëllim të gjenerimit të historive pozitive të pajtimit në Kosovë. Për të kuptuar më shumë rreth këtij trajnimi, Radio KFOR ka intervistuar përfaqësuesin e organizatës jo-qeveritare “Community Building Mitrovica”, z. Milivoje Raicevic i cili tha: “Qëllimi i këtij trajnimi është të trajnojë dhe angazhojë gazetarë kosovarë se si të hetojnë, raportojnë për pajtimin dhe transformimin e konflikteve, të krijojnë besim me audiencën dhe të përcjellin mesazhet në mënyrë të qartë. Metodologjia e trajnimit përbëhet nga prezantime, grupe pune, diskutime ndërvepruese dhe metoda të luajtjes së roleve. Aktivitetet parashikojnë një sesion teorik, duke analizuar shembuj përmes interaktivitetit”.
Trajnuese në aktivitetin e lartpërmendur janë znj. Serbeze Haxhiaj dhe znj. Anamari Repic, të dy gazetare dhe redaktore, të cilat raportojnë tash e një kohë të gjatë për çështje që lidhen me pajtimin dhe ballafaqimin me të kaluarën.
Znj. Serbeze Haxhiaj për Radio KFOR-in, ndër të tjera, tregoi rëndësinë që kanë trajnimet e tilla: “Për vendet si Kosova është e rëndësishme që gazetarët, sidomos ata të rinj, të jenë më shumë të fokusuar në zgjidhjen e konfliktit, drejtësinë tranzicionale, ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin. Trajnimet e tilla, ose thjeshtë komunikimi i gazetarëve të rinj ndihmon në krijimin e urave të bashkëpunimit dhe njohjen më të mirë të problemeve të anës tjetër.”
Ndërkohë, znj. Anamari Repic tregoi rolin që kanë mediat në procesin e pajtimit: “Natyrisht, është thelbësore kur një shoqëri del nga një konflikt që bazohet veçanërisht në ato dallime të forta etnike, kur ne kemi qenë dëshmitarë të ndarjeve dhe stereotipave etnike për dekada të tëra. Gazetaria e vërtetë është ajo që inkurajon pajtimin. Ata që inkurajojnë dhunën, në fakt, po bëjnë të kundërtën e asaj që është gazetaria. Prandaj, mediat reale duhet të luftojnë kundër një gazetarie të tillë dhe për një shoqëri më të mirë. Gazetarët duhet të përdorin shansin e tyre për të udhëhequr procesin e pajtimit, duke bërë punën e tyre dhe duke besuar sinqerisht në pajtim”.
Nga ana tjetër, gazetarët pjesëmarrës, për Radio KFOR-in, thanë se trajnime të tilla janë gjithmonë të mirëseardhura dhe se duhet të organizohen sa më shpesh.
Gazetarja e mediumit Kohavision, znj.Gonxhe Konjufca tha se është hera e parë që merr pjesë në një trajnim të tillë dhe se ka përshtypje pozitive: “Nevoja për gjëra të tilla, ku në fokus është toleranca ndëretnike është çdoherë prezente, sepse përmes saj ngritët edhe vetëdija e opinionit, pasi që roli ynë si gazetar, në të shumtën e rasteve, është pikërisht ky. Unë mendoj që të flitet për tema të tilla, qoftë edhe përmes trajnimeve, qoftë edhe në aktivitetet tona të përditshme i jep një shtytje të madhe përparimit të shoqërisë, në të cilën jetojmë të gjithë së bashku”.
Trajnimi “Pajtimi dhe transformimi i konfliktit” i cili organizohet nga “Community Building Mitrovica” dhe mbështetet nga USAID-i në Kosovë, është duhet u mbajtur në Prizren, nga data 6 deri më 8 korrik.