Riciklimi është proces i grumbullimit dhe përpunimit të materialeve, ushqimeve dhe produkteve që mund të ripërdoren për qëllime të tjera që ndihmon mjedisin, ajrin dhe ujin. Riciklimi në Kosovë është një praktikë e re që ka filluar në dekadën e fundit. Kompania ‘Plastika’ që funksionon në Kosovë, nga viti 2007, tashmë bën riciklimin e mbeturinave të folisë dhe plastikës në vend.
Rreth riciklimit në Kosovë biseduam me pronarin e kësaj kompanie, Ardit Shabani, i cili tregoi për punën e kësaj kompanie dhe rëndësinë e riciklimit në procese të ndryshme: “Jemi një kompani që bëjmë grumbullimin dhe riciklimin e mbeturinave të folisë dhe plastikës në gjithë Kosovën. Nga riciklimi, ne bëjmë prodhimin e folive që përdoren në ndërtimtari dhe agrikulturë. Ne mbulojmë 80% të tregut në Kosovë dhe eksportojmë në shumë vende të Evropës dhe në Amerikë. Riciklimi i mbeturinave ka një ndikim të madh në shoqërinë tonë, sepse mbeturinat nuk klasifikohen dhe nuk u kushtohet shumë rëndësi. Puna jonë ndikon direkt në përmirësimin e ambientit duke kthyer mbeturinën në një produkt të ri-përdorshëm.”
Sipas z. Shabani, në Kosovë ende mungon kultura e riciklimit, pasi që nuk kemi klasifikim të mbeturinave dhe sipas tij duhet të kemi këtë sistem ku mund të hedhim shishet, letrat, mbetjet ushqimore të ndara nga njëra-tjetra. Riciklimi pa dyshim është një nga proceset më të rëndësishme në mbrojtjen e ambientit, prandaj të gjithë duhet të mundohemi që ta praktikojmë.