ReMusica – Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Bashkëkohore është një ngjarje kulturore, që ka për qëllim të i prezantojë dhe promovojë audiencës lokale, zhvillimet në muzikën bashkëkohore, në skenën ndërkombëtare dhe lokale. Këtë vit ReMusica e përmbylli edicionin e 22-të me radhë.
Ky Festival prezanton muzikë bashkëkohore përmes performancave që paraqesin tendencat e ndryshme stilistike prej shekullit të 20-të e deri të atyre në ditët e sotme.
ERDHLEZETI është një festival tjetër, tashmë tradicional Kosovar, i cili mbledhë qindra njerëz në kryeqytet për të festuar ardhjen e verës dhe ikjen e dimrit. Tash e pesë vjet, festivali ofron performanca të veçanta nga bende të njohura nga skena e muzikës tradicionale nga e mbarë bota. Ky festival është mbajtur me 14 maj, në Prishtinë.
DAMFestival – Festivali ndërkombëtar i Muziktarëve të Rinj, DAM, është një nga ngjarjet më të rëndësishme në skenën e muzikës klasike në Kosovë. Qëllimi i kësaj ngjarjeje, është prezantimi i artistëve të rinj nga vende të ndryshme të botës, të cilët me programin e vet paraqesin format e reja të shprehjes muzikore. Ende nuk janë caktuar datat zyrtare për mbajtjen e këtij festivali.
Prishtina Jazz Festival, i vlerësuar si një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Kosovë, ka arritur të sjellë artistë të rëndësishëm dhe të famshëm botëror, ka arritur të stimulojë zhvillimin dhe ngritjen e jazz skenës kosovare, duke organizuar paraqitje tejet kualitative të artistëve kosovar, ka arritur që të krijoj marrëdhënie dhe bashkëpunim me artistë e festivale botërore. Ky festival është mbajtur në fillim të muajit maj, në Prishtinë.
Piano Chopin Fest ‘Prishtina’ është një festival i themeluar për herë të parë në vitin 2010, në Prishtinë, me rastin e 200 vjetorit të lindjes së kompozitorit polak Frédéric François Chopin. Ky festival u themelua nga Shoqata e Chopin e Kosovës. Festivali në fjalë është duke u zhvilluar dhe ju kujtojmë që publiku do të ketë mundësinë të shijojë vepra të ndryshme në festivalin ‘Chopin’ deri më 9 qershor, 2023.
Beerfest Kosova është festivali më i madh i birrës në Kosovë. Çdo vit Beerfest përfaqëson koleksionin më të madh të birrave, të shijuara ndonjëherë në publik. Ky festival bashkon të gjithë njerëzit që të shijojnë muzikën e mirë, pijet dhe ushqimin e mrekullueshëm. Ai filloi në vitin 2011 dhe çdo vit po rritet gjithnjë e më shumë. Festivali do të zhvillohet në qytetin e Prishtinës, nga data 7 deri më 10 korrik.