Revista ‘4 YOU’, e cila për më shumë se 2 dekada ka qenë në duart e të rinjve nga të gjitha shkollat e Kosovës, vazhdon të sjellë risi me përmbajtje, sa interesante aq edhe edukative dhe informuese.
Se çfarë do të përmbajë numri i ri i kësaj reviste, për Radio KFOR-in foli menaxherja e saj, znj. Leonora Shabanaj Niksic: “Si në çdo numër tjetër, jemi përkujdesur që edhe ky muaj të jetë shumë i pasur për sa i përket përmbajtjes. Kemi të përfshira editoriale, artikuj mjaftë interesant, siç është artikulli që pasqyron punën që edhe këtë vit ka bërë ‘Let’s do it Kosova’, përmes projektit “Ta pastrojmë Kosovën”, për ruajtjen, pastrimin dhe mirëmbajtjen e mjedisit. Vëmendje i kemi kushtuar edhe studentit të muajit, që këtë herë vjen nga Shkolla “Vëllezërit Frashëri”, në Deçan, e në rubrikën ‘Music Box’, këtë muaj zë vend këngëtarja e talentuar Vesa Luma, e shumë e shumë artikuj të tjerë interesant, të cilët uroj të pëlqehen nga të rinjtë tanë”, nënvizoi mes tjerash znj. Shabanaj Niksic.
Përveç temave të shumta që trajton revista ‘4 YOU’, stafi i kësaj reviste, çdo muaj është pranë nxënësve të një shkolle të caktuar, të cilëve ju shpërndajnë numrat e rinj të saj dhe i mirëpret ata që të bëhen pjesë e saj, përmes lojërave të ndryshme shpërblyese, që vazhdimisht i organizon, në mënyrë që të vihet në pah talenti i nxënësve në fusha të ndryshme.