“Regjistrimi i trashëgimisë dokumentare për të promovuar shoqëri gjithëpërfshirëse, të drejta dhe paqësore”, me këtë temë sivjet, po shënohet sot (27.10.22) ‘Dita Botërore e Trashëgimisë Audiovizuale’, e cila shënohet nga UNESCO, që nga viti 2005.
Në lidhje me rëndësinë e trashëgimisë audiovizuale në vendin tonë, Radio KFOR-i bisedoi me Udhëheqësen e Departamentit të Koleksioneve të Veçanta në Bibliotekën Kombëtare, znj. Bedrie Mekolli, e cila tregoi më shumë për koleksionet që ruan kjo bibliotekë: “Materialet audiovizuale në Bibliotekën Kombëtare, mblidhen, ruhen, përpunohen dhe gjithashtu jepen në shfrytëzim, ato janë të ndara si koleksion i materialeve audiovizuale. Këtu përfshihen pllaka gramafoni, të cilat i kemi në numër të madh si, CD, DVD, audio-kaseta, video-kaseta, mikrofisha, mikrofilma, shirita dhe gjithashtu magnetofona të filmave. Prodhuesit dhe botuesit e materialeve audiovizuale, njëjtë sikurse botuesit e librave, e kanë për obligim ti sjellin në Bibliotekën Kombëtare, tre deri në pesë kopje të krijimeve të tyre, të cilat ne i quajmë, kopje të detyrueshme.”
Rëndësia e trashëgimisë audiovizuale është shumë e madhe, prandaj që nga viti 2019, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, ka filluar zyrtarisht edhe me procesin e digjitalizimit të bibliotekës.